A do ta çojë Presidentja draftin e Asociacionit në Kushtetuese, kjo është përgjigjja e Osmanit

Aktuale

A do ta çojë Presidentja draftin e Asociacionit në Kushtetuese, kjo është përgjigjja e Osmanit

Më: 23 prill 2024 Në ora: 21:19
Albin Kurti- Vjosa Osmani

Asociacioni i komunave me shumicë serbe tash e më shumë se një dekadë vazhdon të jetë temë ndër më kryesoret në Kosovë.

Bashkësia ndërkombëtare po kërkon nga Qeveria e Kosovës që ta implementojë Asociacionin.

Lëvizja Vetëvendosje që tash drejton Qeverinë e Kosovës gjatë kohës sa ishte në opozitë kritikonte ashpër marrëveshjet e 2013-tës dhe 2015-tës për Asociacionin.

Por, një marrëveshje e Brukselit e vitit 2023 me aneks të Ohrit përmban pikën e Asociacionit, ndonëse marrëveshja nuk është nënshkruar.

Si ide ka qarkulluar që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ta dërgojë draft statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.

Për këtë Osmani është pyetur gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”. Por, ajo ka thënë se ligjërisht nuk mund ta bëjë këtë pa një akt të Qeverisë.

Zëri i Amerikës: T’i kthehemi edhe një herë pyetjes së statutit dhe Gjykatës Kushtetuese. Nëse Qeveria nuk e dërgon këtë statut që ju e keni në duart tuaja, a ka Presidentja hapësirë për ta dërguar atë në Gjykatë Kushtetuese? A po e konsideroni një hap të tillë?

Vjosa Osmani: Në vitin 2017-2018 dhe në vitin 2021, ka aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese të cilat e kanë kufizuar mandatin e Presidentes për të ngritur çështje kushtetuese, ose për të bërë pyetje kushtetuese në qoftë se një dokument është në përputhje me Kushtetutën. Pra, pa u miratuar fillimisht ky dokument nga qeveria, ose pa u nxjerr ndonjë akt i qeverisë, si Presidente nuk mund ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese, sipas nenit 113.

Pra, në të kaluarën ka ekzistuar kjo e drejtë. Siç e dini, në vitin 2015 është shfrytëzuar, në kohën 2008-2010 është shfrytëzuar disa herë. Mirëpo që nga viti 2018 e tutje, nëpërmjet aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, është kufizuar kjo e drejtë e Presidentes. Pra, patjetër duhet të ketë akt paraprak të qeverisë, i cili jo domosdoshmërish duhet të pajtohet me përmbajtjen e statutit, por të gjendet një mënyrë që të përcillet tutje.

Ta ndërlidhi këtë me atë që e thashë më herët. Natyrshëm që një hap i tillë duhet të bëhej në qoftë se ka plan sekuencimi dhe në qoftë se edhe Serbia zbaton në të njëjtën kohë dhe si alternativë në qoftë se bashkësia ndërkombëtare i ofron Kosovës anëtarësim në organizata të cilat janë të domosdoshme për ecjen euro-atlantike të vendit tonë dhe për sigurinë e vendit tonë, sepse në fakt sfida më e madhe me të cilën ne përballemi është sfida e sigurisë, të cilën e krijon Serbia dhe pastaj kjo sfidë krijon shumë të tjera, qoftë në aspektin ekonomik apo të investimeve të jashtme dhe shumë të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat