DW/ Kosova lihet jashtë Këshillit të Evropës

Aktuale

DW/ Kosova lihet jashtë Këshillit të Evropës

Më: 18 maj 2024 Në ora: 09:48
Foto ilustrim

Çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KE) u la jashtë rendit të ditës në takimin e Këshillit të Ministrave të këtij mekanizmi që zhvilloi punimet në Strasburg të premten (17.05.2024). Zyrtarë të kësaj organizate, megjithatë thanë se anëtarësimi i Kosovës në KE nuk është çështje se a do të ndodhë apo jo, por kur do të ndodhë. Gjatë mbledhjes një pjesë e mirë e vendeve anëtare të KE ripërsëritën qëndrimin se kusht për të ecur përpara është që Kosova të hedhë hapa drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Gjatë diskutimeve pati edhe ide që Këshilli i Ministrave të mblidhet në një takim të jashtëzakonshëm më vonë gjatë vitit për këtë çështje, por nuk u mor ndonjë vendim.

Megjithëse Këshilli e la Kosovën jashtë agjendës, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është "çështje kohe”. "Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës. Është vetëm çështje kohe. Në këtë rrugë, ne nuk bëjmë kompromis me vlerat të cilat formojnë themelet e vendit tonë”, shkroi Presidentja Osmani në platformën X.

Ajo tha se Kosova është "mirënjohëse ndaj të gjitha vendeve që na kanë mbështetur deri tani”. "Kur të mbërrijmë atje, ne do të vazhdojmë të ngremë zërin për shtylla të cilat e definojnë KE-në: të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit. Ne nuk do të shërbejmë si dora e shtrirë e Rusisë, e as si shembull i sjelljes autokratike”, shkroi Osmani.

Ministrja e jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, shkroi se, "Ky qëndrim është në shpërputhje me thirrjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila në opinionin e saj tha se Kosova duhet të anëtarësohet, pa parakushte shtesë”.

Kosova u la jashtë Këshillit të Evropës, për faktin që qeveria e Kosovës nuk e dërgoi për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese një draft statut të BE-së për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që së fundi ishte edhe kusht për Kosovën për anëtarësim në këtë organizatë. Një letër zotimi Kosova e dërgoi një ditë më herët në KE, ku thuhej se Kosova do ta hartojë deri në fund të muajit maj një draft statut të saj  për Asociacionin, por kjo nuk gjeti mbështetje nga mekanizmat ndërkombëtar.

Ma datën 15 maj ndërkaq, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kishte pranuar një letër nga presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholzdhe kryeministrja italiane Georgia Meloni, të cilët shprehin mbështetje për propozimin e BE-së për Asociacionin, dhe jo vetëm për zotimet e Prishtinës, pa  hapa konkret.

"Së pari, projekt statuti i paraqitur nga përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, nuk është thjesht një "propozim xhentëlmenësh”. Është një model solid, i hartuar me kujdes me ndihmën e juristëve dhe ekspertëve evropianë, bazuar në praktikat më të mira ekzistuese në Evropë. Ai merr plotësisht parasysh të gjitha vijat tuaja të kuqe si dhe kuadrin kushtetues dhe ligjor të Kosovës. Si i tillë, ai gëzon mbështetjen tonë të plotë. Le të theksojmë edhe një herë se ne nuk duam një Kosovë jofunksionale, Asociacioni nuk është në asnjë mënyrë i krahasueshëm me Republikën Serbe”, thuhet në letrën e tre udhëheqësve evropian. Ne letrën e Macron, Scholz dhe Melonni, nënvizohet qartë se "ekziston rrezik real që pa përparim vendimtar për Asociacion, aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të marrë mbështetjen e mjaftueshme nga shtetet anëtare”.

Sidoqoftë, Kosova ka një vit ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e mbështeti raportin e Dora Bakoyannis, që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Sipas këtij raporti, "Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim dhe çështjen e formimit të Asociacionit e ka konsideruar si temë të brendshme të Kosovës”. Por, vendet kryesore evropiane e kushtëzuan votimin me konkretizimin e hapave të parë drejt themelimit të Asociacionit. Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin qysh në vitin 2013. Por, në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konsideroi se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat