Xhavit Haliti tregon arsyet e vizitës së Escobarit në Kosovë

Aktuale

Xhavit Haliti tregon arsyet e vizitës së Escobarit në Kosovë

Më: 12 mars 2024 Në ora: 18:08
Xhavit Haliti

Të mërkurën, për vizitë në Kosovë do të qëndrojë  i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Departamenti Amerikan i Shtetit, derisa ka njoftuar për vizitën e tij ka thënë që temë diskutimi do jetë edhe dialogu Kosovë-Serbi.

Ndërsa, ardhja e tij në Prishtinë po ndodhë pikërisht në kohën kur raportet ShBA-Kosovë janë të tensionuara.

E, krejt kjo për shkak të çështjes së dinarit.

Të martën, Escobar në një konferencë për media në Bruksel para gazetarëve vendimin e autoriteteve të Kosovës për çështjen e dinarit e ka quajtur “katastrofik” dhe “jokompetent”.

Por, cili është qëllimi i vizitës së tij në Kosovë ka folur deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti dhe njohës të çështjeve politike.

Deputeti i PDK-së, njëherit anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme, Xhavit Haliti ka thënë se qëllimi kryesor i ardhjes së të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar është përafrimi i raportove dhe vendimi për dinarin.

“Unë mendoj që qëllimi i ardhjes së Gabriel Escobar në Kosovë është edhe përafrimi i këtyre raporteve, përmirësimi i raporteve edhe marrja e përgjegjësive që duhet t’i merr Qeveria e Kosovës lidhur me çështjet që janë disa strategjike e disa emergjente. Emergjente është dinari për të cilin SHBA-ja është deklaruar që duhet t’iu jepet serbëve një hapësirë kohore që qytetarët të mësohen dhe ta dinë se çka do të ndodhë edhe çështja e fillimit të bisedimeve ose përshpejtimit të fillimit të zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara”, është shprehur Haliti.

Sipas tij, tensionet në raportet SHBA-Kosovë janë si pasojë e veprimeve të Qeverisë së Kosovës të cilat nga SHBA-ja janë vlerësuar të ngutshme.

I, pyetur se a është kthyer i tërë fokusi tek çështja e dinarit, Haliti ka thënë se ky i fundit nuk është çështje kryesore.

Por, se siç thotë ai këtë Serbia po e shfrytëzon me të madhe për të mos filluar zbatimin e marrëveshjeve.

“Dinari nuk është çështje kryesore. Dinari është më shumë problem të cilin Serbia po e përdor me të madhe për të mos filluar zbatimin e marrëveshjeve që janë të nënshkruara, por çështje kryesore janë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel. Nëse ne e kemi bërë një gabim shtesë ose një problem i cili është konsideruar si i gabueshëm nga partnerët tonë strategjikë siç janë SHBA-të dhe Bashkimi Evropian atëherë domosdoshmërisht që do të bisedohet në çdo situatë për at evituar edhe këtë problem shtesë”, ka thënë dnër të tjera Haliti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat