Analistët për deklaratën e Maqedoncit: S’ka vend për fraza të tilla, qeveria jonë si të ishte Qeveri e luftës

Aktuale

Analistët për deklaratën e Maqedoncit: S’ka vend për fraza të tilla, qeveria jonë si të ishte Qeveri e luftës

Më: 6 maj 2024 Në ora: 23:52
Ejup Maqedonci

Ish-zëvendësministri i Brendshëm i Kosovës, Selam Shkodra duke komentuar deklaratën e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci për mundësinë e një lufte me Serbinë, tha se nuk ka vend për fraza të tilla.

Sipas Shkodrës, Maqedonci dhe kabineti qeveritarë i kanë politikat e tyre e që sipas tij, u lejohet të bëjnë deklarata të tilla edhe për shkak të përfitimit të mbështetjes nga aleatët për ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Pikëpamja ime është se duke marrë parasyshë numrin e madh të trupave të Aleancës Atlantike këtu dhe duke pa zhvillimet ndërkombëtare, tashmë është i njohur qëndrimi i komunitetit ndërkombëtarë që siguria e Kosovës është siguria e kontinentit të Evropës. Besoj që nuk ka vend për fraza të tilla dhe nuk pres ndonjë zhvillim i cili do të eskalonte në përmasa të një lufte. Ministri është në kabinetin qeveritarë dhe ata i kanë politikat e tyre dhe i lejohet të jep edhe kësi deklarata, ndoshta edhe për arsye se mund të përfitojë mbështetje nga ndonjë aleat me qëllim të ngritjes së kapaciteteve për Forcat e Sigurisë së Kosovës”, tha Shkodra.

Madje ai tha se nga perspektiva reale nuk beson se do të ketë plane për luftë në planin afatshkurtë dhe afatmesëm.

“Nga perspektiva reale nuk besoj se do të ketë plane për luftë, në planin afatshkurtë dhe afatmesëm për shkak se NATO është këtu dhe këmbëngulësia  e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe gjithë komunitetit ndërkombëtarë është që mos të lejojë përshkallëzimin e situatës në rajonin e Ballkanit”, tha Shkodra.

Ndërsa, ish gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu tha se me deklarata të tilla, Qeveria e Kosovës po jep përshtypjen sikur të ishte Qeveri e luftës.

“Përshtypjet e para janë se kjo Qeveria jonë po duket si me kanë Qeveri e Luftës. Kjo është qeveri civile, që ka për objektiva zhvillimin e shtetit, ngritjen e kapaciteteve, demokratizmin, punësimin. Nuk jemi bartës të luftës ne si kosovarë, si qeveri… Jam shumë i bindur se luftë s’do të ketë”, tha Kryeziu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat