Nënsekretarja amerikane deklarohet pas takimit me Osmanin, e përmend Asociacionin - nënshkruhet marrëveshja SHBA-Kosovë

Aktuale

Nënsekretarja amerikane deklarohet pas takimit me Osmanin, e përmend Asociacionin - nënshkruhet marrëveshja SHBA-Kosovë

Nga: Bota sot Më: 19 maj 2024 Në ora: 07:31 Përditësuar në ora: 10:34 më 19.05.2024
Foto nga takimi

Nënsekretarja Allen flet për integrimin euroatlantik të Kosovës, e ndërlidh me Asociacionin

Nënsekretarja amerikane e Shtetit, Elizabeth Allen, në një konferencë për media, tregoi se për çka kanë folur me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani.

Ajo e ka përmendur asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Unë dhe presidentja Osmani këtë mëngjes e patëm një takim produktiv sa i përket dezinformimit, mbështetjes së shoqërisë civile dhe angazhimit multilateral. Gjithashtu diskutuam edhe për çështjet kritike të rrugëtimit euroatlantik dhe evropian të Kosovës. Ne e mbështesim rrugëtimin e Kosovës drejt institucioneve euroatlantike përmes bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë. E di që është shumë e rëndësishme edhe për ju presidentja Osmani. Diskutuam edhe për hapat kryesorë për udhëtimin euroatlantik të Kosovës përmes asociacionit të komunave me shumicë serbe. Biseduam edhe për investimet në rini, trajnime dhe edukime për te siguruar një të ardhmë të ndritur”, tha ajo. 

Marrëveshja me SHBA’të kundër manipulimit të informacionit, Osmani përmend sulmet ruse nëpërmjet Serbisë

Presidentja Osmani në një konferencë për media ka folur për marrëveshjen e nënshkruar me SHBA’të.

Ajo tha se e ka falënderuar nënsekretaren amerikane të Shtetit, Elizabeth Allen, për mbështetjen e SHBA’së ndaj Kosovës në cdo kohë.

“Fatkeqësisht as Kosova nuk është kursyer nga këto sulme të cilat sa vijnë e intensifikohen si rezultat i ndikimit të Rusisë në rajon përmes satelitit të saj, Serbisë. Kjo jo vetëm që është shqetësuese por paraqet rrezik aktiv për destabilizimin e rajonit tonë. Rusia në këtë mënyrë po përpiqet të ushtrojë ndikim duke targetuar sukseset dhe arritjet e angazhimit të përbashkët të popullit të Kosovës me shtetet demokratike, në veçanti me SHBA’të… Prandaj edhe ne si demokraci duhet të bashkohemi në mënyrë që ata të mos arrijnë këtë sukses”, tha Osmani.

“Lufta e agresionit të Rusisë në Ukrainë shënoi momentin kulminant kur shtetet demokratike njëzëri dhe vendosmërisht u përkushtuan për t’iu kundërvënë propagandës ruse nëpërmjet mjete dezinformuese. Marrëveshja e sotme e nënshkruar mes republikës së Kosovës dhe SHBA’ve është në këtë funksion. Ajo nuk përbën vetëm tjetër marrëveshje, përkundrazi shënon një pikë kthese duke e fuqizuar dukshëm bashkëpunimin tonë… Kjo marrëveshje mirëkuptimi do të nxisë edhe një koordinim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim më të madh të institucioneve publike në vend, organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe palëve të interesuara.”

Në fund Osmani ka thënë se Kosova gëzon lirinë demokracinë “falë edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Osmani pas nënshkrimit të marrëveshjes me SHBA-të: Dëshmi e fuqizimit mes dy shteteve tona

Nënsekretarja amerikane e Shtetit, Elizabeth Allen, ka takuar Presidenten Vjosa Osmani. Ato nënshkruajtën një marrëveshje mirëkuptimi ndërmjet Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës, kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja.

Gjatë konferencës për media presidentja Osmani tha se aleanca e Kosovës me SHBA-të është e përjetshme dhe kjo po pasqyrohet vazhdimisht.

“Aleanca jonë e përjetshme pasqyrohet dhe zgjerohet vazhdimisht. Vizita e zonjës Allen dëshmon përkushtimin tonë të ndërsjelltë. I shpreha mirënjohjen e popullit të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se kjo mbështetje po vazhdon edhe sot. Bashkëpunimi ynë është materializuar në forma të ndryshme. Kjo marrëveshje është dëshmi e fuqizimit mes dy shteteve tona. Jam jashtëzakonisht e lumtur që nënshkruam këtë marrëveshje që të bashkojmë forcat kundër manipulimit të informacioneve. Fushatat dezinformuese synojnë ta cenojnë demokracinë në shtetet tona. Fatkeqësisht as Kosova nuk është kursyer nga këto sulme sidomos nga Rusia e cila po synon të sjell destabilizim. Këto forca dashakeqëse synojë të sulmojnë shtetet tona. Marrëveshja e sotme është në këtë funksion nuk përbën një tjetër marrëveshje por synon një pikë kthese në bashkëpunimin tonë dhe lehtëson shkëmbimin e informacionit dhe manipulimit të informacionit”, ka thënë Osmani.

Në fund Osmani ka thënë se Kosova gëzon lirinë demokracinë “falë edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

“SHBA janë aleati ynë kryesor”, tha ajo.

Në anën tjetër nënsekretarja amerikane e Shtetit, Elizabeth Allen tha se ky memorandum i marrëveshjes mes ShBA-së dhe Kosovës detajon ndërtimin e kapaciteteve të komunikimit strategjik përmes diplomacisë digjitale evropiane, shkëmbimit dhe aktiviteteve të tjera të kornizës.

“Ne e pranojmë se qeveritë autoritare manipulojnë informacionin dhe përhapin dezinformata për të ndikuar tek njerëzit në mbarë botën për të mbjellë kaos,ndarje për të ulur besimin në institucione, veçanërisht në institucione demokratike. Siguria dhe stabiliteti në Evropën Jugore dhe Qendrore, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor janë prioritetet kryesore që kam theksuar në çdo pjesë të udhëtimit tim në rajon”, tha Allen.

“Korniza jonë e qeverisë amerikane fokusohet në luftën kundër  manipulimit të informacionit, dhe ky memorandum i marrëveshjes sot këtu midis SHBA-së dhe Kosovës përfshinë disa pika. Ai detajon ndërtimin e kapaciteteve të komunikimit strategjik përmes diplomacisë digjitale evropiane, shkëmbimit dhe aktiviteteve të tjera të kornizës”, shtoi tutje sekretarja amerikane e Shtetit.

Nis takimi i Osmanit dhe nënsekretares së ShBA-së për Diplomacinë Publike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka pritur sot në takim nënsekretaren e ShBA-së për Diplomacinë Publike, Elizabeth Allen.

Mediat morën pamje në fillim të takimit, më pas do të nënshkruhet edhe marrëveshja e mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës, kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, presidentja Osmani dhe nënsekretarja Allen do të deklarohen për media. 

Kosova dhe SHBA-ja sot nënshkruajnë marrëveshje kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani do ta pret sot në takim nënsekretaren e SHBA-ve për Diplomacinë Publike, Elizabeth Allen.

Takimi pritet të fillojë nga ora 09:00.

Siç njofton presidenca mediat do të marrin pamje në fillim të takimit, ndërkaq më pas edhe në nënshkrimin e marrëveshjes së mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës, kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, presidentja Osmani dhe nënsekretarja Allen do të deklarohen për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat