Gjermania thërret për konsultime ambasadorin e saj në Moskë, në shenjë proteste ndaj sulmit kibernetik

Evropë

Gjermania thërret për konsultime ambasadorin e saj në Moskë, në shenjë proteste ndaj sulmit kibernetik

Më: 6 maj 2024 Në ora: 17:48
Olaf Scholz

Gjermania tha të hënën se ka thirrur ambasadorin e saj në Rusi për një javë konsultimesh në Berlin, pas një sulmi të dyshuar kibernetik ndaj partisë së kancelarit Olaf Scholz.

Gjermania javën e kaluar akuzoi agjentët ushtarakë rusë për sulm kibernetik në nivelet më të larta të Partisë Social Demokrate të kancelarit Scholz dhe objektiva të tjera të ndjeshme qeveritare dhe industriale. Berlini iu bashkua NATO-s dhe vendeve të tjera evropiane, duke paralajmëruar Rusinë se do të përballet me pasoja për operacionet e saj të spiunazhit kibernetik.

Zyra e Ministrisë së Jashtme në Berlin tha të hënën se qeveria po e merr "seriozisht" incidentin e fundit dhe se ministrja e Jashtme Annalena Baerbock kishte vendosur të thërriste ambasadorin gjerman në Rusi, Alexander Lambsdorff. Ai do të kthehet në Moskë pas një jave, tha ajo.

"Qeveria gjermane e merr shumë seriozisht këtë ngjarje, duke e cilësuar atë një veprim kundër demokracisë sonë liberale dhe institucioneve që e mbështesin atë", tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Kathrin Deschauer.

Ministrja Baerbock tha javën e kaluar se operatorët kibernetikë ushtarakë rusë janë përgjegjës për ndërhyrjen në emailet e Social Demokratëve, partia kryesore në koalicionin qeverisës. Zyrtarët thanë se hakerët kishin shfrytëzuar disa dobësi të platformës së emaileve “Microsoft Outlook”.

Ministria e Brendshme gjermane tha përmes një deklarate javën e kaluar se fushata e hakerëve filloi që në mars të vitit 2022, një muaj pas fillimit të sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë ndaj Ukrainës, dhe se ata arritën me sukses të kenë qasje në emailet e selisë së Partisë Social Demokrate që nga dhjetor i vitit të kaluar. Në deklaratën e ministrisë së jashtme thuhet se kompanitë gjermane, përfshirë ato në sektorët e mbrojtjes dhe hapësirës ajrore, si dhe objektivat që lidhen me luftën në Ukrainë ishin në shënjestër të hakerëve.

Zyrtarët thanë se sulmet kibernetike vazhduan për muaj të tërë.

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Gjermanisë kanë qenë të tensionuara që nga fillimi i sulmit në shkallë të gjerë të Moskës ndaj Ukrainës. Gjermania ka ofruar mbështetje ushtarake për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat