Gravurë ndjenjash

Kultura

Gravurë ndjenjash

Nga: Vjollca Aliu Më: 2 mars 2024 Në ora: 13:24
Vjollca Aliu

Po të shkruheshin fjalët me pika lotësh
Do të skalitej fjala krenari
Më të çmueshmin thesar jetësor
Të pata e të kam ty!

Po të shkruheshin fjalët me copa dhimbjesh
Do të krijohej një labirint i ngatërruar
Një shpellë e pambarimtë
Ku kristalet nga dhimbjet janë krijuar.

Po të shkruhej fjala me virtytin besnikëri
Do të dilte si epitaf një legjendë e artë
Ku në llavën e jetës vullkan
Ruhen shpata dhe pushka e zjarrtë.

Po të shkruhej mirësia me rrahjet e zemrës
Do të dëgjonim një të bukur uverturë
Ku tingujt prekin butësisht çdo zemër
Dhe mirësia valon lumturisht si flamur.

Po të shkruheshin fjalët me ndjenjën dashuri
Asnjë lis degët s'do t'i thante
Me lumturinë plot oksigjen do të frymonim
Termeti i urrejtjes zemrat s'do t'i çante.

Me pika lotësh a me copa dhimbjesh
Me virtytin e palëkundshëm besnikëri
Me mirësinë e zemrës plot ndjenjë dashurie
Do të sundojë botën mbreti MREKULLI!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat