Projektligji për Rimëkëmbje të Fukarallëkut!

Opinione

Projektligji për Rimëkëmbje të Fukarallëkut!

Nga: Driton Gumnishta Më: 6 dhjetor 2020 Në ora: 12:21
Driton Gumnishta

Pas dhjetëra tentativash u votua më në fund i ashtuquajturi Projektligj i Rimëkëmbjes Ekonomike i cili paska vendosur që tani e tutje të Rimëkëmbë diçka në Kosovë ! Më e forta, partitë parlamentare që e votuan këtë ligj duke u shtyrë në mes veti, po e paraqesin si arritje të tyre politike që ti marrin meritat e këtij far MEGA suksesi.

Kur të shohësh nga afër konstaton se boshti kryesor i këtij ligji është mundësia që secili të ketë qasje në 10% të Trustit të tij pensional e që nga ai trust shtetëror më së shumti para do të mund të marrin të pasurit!!! Ndryshe, që paratë e tyre të kursyera për pleqëri prej vitesh, qytetarët të kenë të drejtë ti tërheqin dhe shpenzojnë tani, thua se pleqëria nuk do t’u vijë kurrë dhe se nuk do të kenë më nevojë për atë 10 përqindësh.

Që deliri të jetë i kompletuar, njerëzit e marrin si të mirëqenë dhe i gëzohen këtij lajmi me shpresën se në këtë hata ekonomiko – shëndetësore edhe ata do të mund të « kapin » ndonjë gjë sot sepse për nesër do shohim e bëjmë….

Se ku jemi katandisur dhe çfarë po na pret në të ardhmen, për një mendje mesatare, kjo do të duhej konsideruar si shumë brengosëse. Këtë e dëshmojnë krahasimet e më poshtëme të cilat janë, pa mëshirshëm, të frikshme:

Në një raport të janarit 2018 publikuar në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave të Qeverisë Franceze thuhet : « Me një PBB prej 6.4 miliardë Euro dhe një popullsi prej 1.9 milion, Kosova në vitin 2017 ishte vendi më i varfër në Evropën Jug-Lindore, me një PBB për kokë banori prej rreth 3 436 EUR ( p.s. +/- 4100$). Modeli i saj ekonomik bazohej kryesisht në transferime nga diaspora që nxisnin kërkesën e brendshme përmes konsumit të familjes dhe investimeve….etj etj »

Që ta dimë më mirë se ku ishim në raport me të tjerët, ta përkujtojmë se në përgjithësi Ballkani perëndimor është mesatarisht shumë më i varfër se sa Rumania dhe Bullgaria, vetë vende të varfëra përbrenda Bashkimit Europian. Ndërsa PBB për kokë banori në Bullgari gjatë vitit 2016, KUJDES, VITI 2016 ! ishte 7370$, në Serbi ajo ishte 5300$, në Maqedoni 4300$, në BeH 4300$ dhe në Shqipëri 4200$. Për krahasim, në të njejtën periudhë PBB për kokë banori në Francë ishte 38 000$, në Luksemburg 106 300$, ….

Viti 2017 në Kosovën ishte periudhë para-pandemike dhe shteti ishte në më të mirën e tij të mundshme. Atëbotë mërgata në Kosovë ishte në top prezencë edhe fizikisht por sidomos financiarisht ndërsa bizneset po punonin me orar të plotë dhe jo si sot të mbyllura apo të nënshtruar kufizimeve nga më të larmishmet.

Pra edhe pse në vitin 2017 Kosova i kishte të ndezur gjithë « motorët ekonomikë » por edhe « dorshlirët nga mërgata » ishin në nivelin e pritshëm, ajo nuk e arrinte dot as standardin e shtetit më të varfër në Europë (Shqipëria) të një viti më herët (2016)!

Sot, në Kosovë mbretëron ambient frike dhe izolimi depresiv. Po humben shumë jetë njerëzish, shumë të tjerë prioritet absolut e kanë shërimin (me kosto marramendëse), në fuqi është « ORA SHËNDETSORE » e mbikëqyrur me polici, …, shumë biznese janë pranë falimentimit, p.sh. vetëm në Komunën e Vushtrrisë 55% e bizneseve të saj, janë praktikisht të falimentuara deklaroi dje kryetari i Komunës!!! ….., mërgata sivjet kishte dërguar mbi 500 milion euro më pak se sa viteve të tjera pastaj të hyrat nga doganat po ashtu regjistrojnë më pak mjete se në vitet para pandemike, për prodhimin as mos të flasim,…., etj etj

Dhe me gjithë këta parametra negativ, Qeveria jonë pretendon se me pak pare nga shteti e me më shumë nga xhepi i qytetarëve (10%), do të Rimëkëmbë gjë ?! Që vërtetë të ndjehet pak frymëmarrje dhe për ta renditur Kosovën bile me rajonin edhe ashtu të varfër, po rezulton se imputet financiare qeveritare do të duhet të ishin SË PAKU edhe tri herë më të mëdha se sa ato që janë paraparë me këtë ligj.

Tani, kjo nuk ka të bëjë me asfare simpatie partiake për njërin grup politik apo urrejtje për grupin tjetër, matematika po e demanton Qeverinë dhe po i dëshmon se jemi shumë më keq se sa në vitin e largët 2016 dhe se me këto mjete realisht po luftohet që të rikthehet gjendja e përafërt me vitin 2016, kur ne ishim më fukarenj se sa kushdo tjetër.

Për fund, në prag të vitit 2021, nëse vërtetë imputi financiar i Qeverisë në shoqërinë Kosovare edhe do të arrinte t’a rikthej standardin le të themi të vitit 2017 që personalisht nuk e besoj, atëherë secili nga ju të vlerësoj lirshëm se ky ligj i sapo aprovuar a duhet të quhet : Ligj i Rimëkëmbjes Ekonomike apo i Rimëkëmbjes dhe vazhdimit të FUKARALLËKUT ?!!!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat