Presidenti historik i Kosovës

Opinione

Presidenti historik i Kosovës

Nga: Gani Qarri Më: 2 dhjetor 2023 Në ora: 15:10
Ibrahim Rugova

Dr Ibrahim Rugova, i njohur ndërkombëtarisht si “Gandi i Ballkanit”, Ikona dhe Engjëlli hyjnor që edhe në kohë lufte, zhvilloi politikë të paqes, vdiq bashkë me epokën e tij!

Dr. Ibrahim Rugova ishte figura më emblematike e një populli të robëruar, që edhe në kohë lufte, zhvillonte politikë të pa dhunshme, duke dëshmuar kurdoherë përpjekjet më të vendosura me unifikimin e pashembullt e historik të shqiptarëve, në përpjekjet për çlirim nga okupimi serb dhe pavarësinë e Kosovës.

Më 4 shkurt të vitit 2002 parlamenti i Kosovës zgjodhi Dr. Ibrahim Rugovën serish president, kurse në krye me Dr. Rugovën, LDK fitoi edhe zgjedhjet e fundit nacionale të vitit 2004. Ai ishte figura simbolike e rezistencës paqësore për pavarësinë e Kosovës, i cili fatkeqësisht vdiq shumë i ri dhe në kohën kur i duhej më së shumti popullit të vet, vetëm pak ditë para përmbushjes së ëndrrës së tij jetësore, në veprimtarinë e bujshme politike që pati, si rrallë kush ndonjëherë para tij.

Rugova ishte pasqyra më shkëlqyese politike me predispozita profetike, për fitore të gjithë shqiptarëve nën okupimin serbo-sllav dhe veçanërisht figura më rrezatuese e reprezentative e shqiptarëve të Kosovës, që shkëlqente pozitivitet kudo dhe ndikonte në mënyrën më të fuqishme veçanërisht në përpjekjet e tyre për liri dhe shtetin e pavarur të Kosovës!

Një personalitet i rrallë dhe shumë i çmuar politik, i respektuar maksimalisht edhe nga ndërkombëtarët, i cili për pjesën më demokratike të botës dhe shtetet më të fuqishme euro-perëndimore, nga Evropa deri në SHBA, ishte dhe mbetet edhe "Gandi i Ballkanit" udhëheqës i pa diskutueshëm dhe i respektuar edhe nga "armiqtë", para dhe pas vdekjes, nga të gjithë brenda dhe jashtë vendit.

Rugova edhe pas lufte ishte presidenti i parë i Kosovës së lirë dhe të sapo çliruar nga okupimi serb, i cili megjithëse në shtator të vitit 2005, u diagnostikua me kancer, ai nuk dha dorëheqje nga posti i të parit të shtetit dhe as nuk hoqi dorë,deri në frymmarrjen e tij të fundit, për asnjë minutë nga puna dhe përpjekjet e vazhdueshme për një shtet të lirë e demokratik dhe një të ardhme sa më të sigurt e të ndritshme për Kosovën.

Me 2 dhjetor të këtij fundviti, shënohet ditëlindja e 79-të e Presidentit historik te Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, i cili mjerisht më 21 janar të vitit 2006 ndërroi jetë, në moshën vetëm 61 vjeçare dhe vetëm pak javë para se në Vjenë të Austrisë, të fillonin bisedimet për statutin përfundimtar të Kosovës, të cilin gjithmonë kishte shpresuar ta përjetonte edhe vet, për gjallje të tij.

Roli brilant dhe vlera e pashembullt historike e presidentit historik Dr.Ibrahim Rugova, në veprimtarinë e tij jetësore politike, ishte dhe mbetet historia unike e bashkimit të të gjithë shqiptarëve në rezistencën e padhunshme por shumë aktive, për liri dhe shtetbërjen e Kosovës.

Luftë e vazhdueshme e gjithanshme dhe e fuqishme kombëtare, për mese dhjetë vjet me radhë, kundër një okupatori kriminal të Kosovës si Serbia hegjemoniste e kasapit Slobodan Millosheviq, që për krimet kundër njerëzimit dhe bëmat gjenocidiale të Serbisë në Kosovë e vendet tjera të dala nga ish federata jugosllave, do të gjykohej nga Tribunali për Krime Lufte në Hagë.

Vlera më e çmuar historike e shqiptarëve të Kosovës në të gjitha kohët, ishte presidenti historik i saj, Dr. Ibrahim Rugova, i vlerësuar lartë nga ndërkombëtarët, i cili për mbarë botën mbeti shembull dhe Ikonë e idealit paqësor, me "Politikën e tij të paqes, për liri e pavarësi edhe në kohë lufte!

Burrështetas që u vlerësua shumë në gjithë globin, për përkushtimin e tij të pa lëkundshëm, për ti dhënë botës mundësinë e korrigjimit të padrejtësive ndaj shqiptarëve edhe në kohën, kur në të gjitha anët zhvillohej luftë, ide rrezatuese që Dr. Rugovën e lartësoi në sytë e mbarë botës, për faktin se stili i veçantë politik i dr. Ibrahim Rugovës, e dallonte atë, nga politika e dhunshme ballkanike, madje edhe nga sjelljet e oponentëve të tij politikë brenda dhe jashtë vendit.

Për hir të veprimtarisë së tij të shquar politike e miqësisë shembullore që arriti të krijojë me burrështetasit më të mëdhenj botëror të kohës, që nga Bill Klintoni, Toni Bleri, Zhak Shirak-u, Medlin Olbrajt etj, shtetet më të fuqishme dhe figura nga më të shquarat ndërkombëtare dr.Ibrahim Rugova, në vitin 1998, u nderua nga qyteti i Münsterit në Gjermani, me Çmimin e Tolerancës, përderisa nga Parlamenti Evropian, ku edhe sot e përjetësisht, ndritë ekspozitura e fotografisë së tij, mori Çmimin Saharov!

Kurse ajo që rrezaton pashkëputshëm në veprimtarinë e shkencore dhe politike të Dr. Ibrahim Rugovës, është përmbajtja emblematike që figuron përbotshëm në certifikatën e ndarjes së doktoratës së nderit, për dr. Ibrahim Rugovën nga Universiteti i Parisit në vitin 1996,ku thuhet: “Ai është një nga apostujt e mëdhenj të jodhunës së kohës sonë”!, fakt që dr. Ibrahim Rugovën, e përjetëson edhe shkencërisht në Ikonë të Paqes!

Por ndryshe do të ndodhte dhe trajtohej nga disa njerëz e grupe të dyshimta kriminalo-politike në Kosovën e tij, madje në mars të vitit 2005, Dr. Rugova u gjend në shënjestër të një sulmi terrorist me bombë në qendër të Prishtinës, të cilit mezi i shpëtoi, ndërsa çuditërisht organizatorët, atëherë e sot, nuk u identifikuan kurrë!

Njëjtë apo ngjashëm, figura e dr. Ibrahim Rugovës, u trajtua edhe nga bashkëpartiakët dhe politikanët e tjerë te Kosovës, madje pas katapultimit të Isa Mustafës , në krye të kësaj partie, i cili kurrë më parë nuk kishte qenë anëtar as pjesë e LDK-së, kjo parti u tjetërsua krejtësisht, ai futi luftërat e brendshme dhe përçarjet më të thella të njohura deri atëherë, duke përjashtuar anëtarët dhe figurat më aktive dhe më të devotshme kombëtare, që nga tërheqja brutale-zvarrë e të bijës së heroit Jusuf Gëvalla deri te anashkalimi arrogant i Faton Bislimit, si njëri nga aktivistët më të paepur të LDK-së, që ndodhi vetëm pak kohë më parë.

Në fakt LDK, të cilën e kemi njohur nga ditët e Rugovës, as që ekziston më, e të mos flasim edhe për rugovizëm, madje nën udhëheqjen e Isa Mustafës, partia më e madhe dhe shtet formuese e Dr. Ibrahim Rugovës, pothuajse u fut komplet nën diktimin e Hashim Thaçit, dhe ishte më e dëgjueshme se çdo degë e PDK-së ndaj tij.

LDK, përveçse e ngriti Thaçin, me votat e deputetëve të saj, në president, atij, ia plotësoi edhe të gjitha kërkesat tjera, që nga nënshkrim i asociacionit, votimi kësaj katrahure në parlament, e deri te votimi i demarkacionit me Malin e Zi, me të cilin, pas zgjerimit të FYROM-it me 2500 hektar tokë të Kosovës edhe Mali i Zi u rritë për mese 8300 hektar tokë autoktone të Kosovës, akte për të cilat, të gjitha partitë që i votuan, në vend se të turpërohen, vazhdojnë të shprehen krenare?!

Roli historik i Dr. Ibrahim Rugovës, është pothuajse i pa arritshëm për figurat tjera politike vendore!

Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës me 2 korrik të vitit 1990 u shpall Deklarata e pavarësisë dhe shpallja e Kosovës Republikë, me 7 shtator 1990 u bë miratimi i kushtetutës të Republikës së Kosovës, kurse me 22 shtator të vitit 1991 u mbajt referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Dr. Ibrahim Rugova përveçse u zgjodh e rizgjodh President i Republikës së Kosovës në vitet e paraluftës, nën udhëheqjen e tij, LDK fitoi shumicën e votave edhe në tetor të vitit 2000, fitoi zgjedhjet e para lokale, në Kosovën e pasluftës, zgjedhjet e para nacionale të vitit 2001, zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002 dhe zgjedhjet e fundit nacionale vitit 2004, kur dr. Ibrahim Rugova në shkurt të vitit 2002 u rizgjodh president i vendit, pozitë në të cilën qëndroi i pakontestueshëm asnjëherë, deri në fund të jetës së tij biblike.

Çmimet ndërkombëtare në nderim të Dr. Ibrahim Rugovës, bazuar në shënimet e presidencës:

– Më 1995, Dr. Ibrahim Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë.
– Më 1996, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII, Sorbonë, Francë.
– Më 1998, Dr. Ibrahim Rugovës iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.
– Në vitin 1999, Dr. Rugova mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster, Gjermani, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedik, Milano dhe Breshia.

– Në vitin 2000, Dr. Ibrahim Rugova mori çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguerra” në Barcelonë, Spanjë.

– Në vitin 2004 Dr. Ibrahim Rugova u nderua me Çmimin e Evropës, Senator Nderi nga Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi.
– U nderua gjithashtu nga Komonuelthi i Pensilvanisë (SHBA), “Mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
– Më 2004, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës.

Dr. Ibrahim Rugova vdiq më 21 janar të vitit 2006 në Prishtinë, ndërsa në përvjetorin e parë të vdekjes, më 21 janar 2007, Presidenti i atëhershëm i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, dekoroi Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë, me të cilin nderohen figurat historike në vendin tonë, për “vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

“Gandi i Ballkanit” i vlerësuar ndërkombëtarisht edhe si Engjëlli hyjnor, që edhe në kohë lufte, zhvilloi politikë të paqes, nga zhvillimet që sot shohim në vend dhe botë, duket se me 21 janar të vitit 2006, ai vdiq bashkë me epokën e tij!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat